Kategoria Superiore do të vijojë sot me tre takimet e mbetura nga java e 19. Kështu në orën 14:00, në Gjirokastër do të luhet një përballje direkte për mbijetesën, ajo mes Luftëtarit vendas dhe Kastriotit. Këta të fundit mbajnë vendin e fundit në kampionat, por me trajnerin Devolli, shpresojnë të luajnë shanset e tyre për mbijetesë.

Nga ana tjetër gjirokastritët e Mezanit vijnë me ndryshime krahasuar me dy fazat e para, pasi nuk kanë më në përbërje dy yjet e skuadrës, Rrocën dhe Shkurtajn, ndërsa ka kuriozitet se si do të zëvendësohen ata në fushë.

Në orën 17:00 do të zhvillohen dy supersfida, ku natyrisht vëmendja më e madhe do të jetë e përqendruar në “Niko Dovana”, ku Teuta e Blendi Shkëmbit do të presë Flamurtarin e “çorientuar” për shkak të problemeve financiare.

Pas gjysmës së parë të kampionatit, thuajse në perfeksion “Djemtë e detit” janë përforcuar me disa elementë të rëndësishëm dhe me eksperiencë si Renato Arapi, Erlis Frashëri dhe Tomislav Bushiç, të cilët rritin ndjeshëm cilësinë.

Pikërisht kroati Bushiç, i cili ishte kapiten i Flamurtarit deri para pak ditësh, vendosi të vijë në Durrës, për shkak të problemeve financiare që nuk po marrin zgjidhje te klubi vlonjat, me futbollistët që vijojnë të kërkojnë rrogat e munguara prej muajsh.

Mjaft interesante paraqitet edhe sfida e kryeqytetit, ajo mes Tiranës dhe Kamzës, dy skuadra që kanë si objektiv primar, t’i largohen sa më shpejt zonës së ftohtë të renditjes. Në “Selman Stërmasi”, Tirana do të kërkojë fitoren, për t’u hakmarrë për humbjen e pësuar në ndeshjen e parë të kampionatit, sfidë që u vendos nga një gol i Sebino Plakut.

Top Channel