La Gjermaninë për Kastriotin, Herald Marku shënon dopietë ndaj Luftëtarit

27/01/2019 17:34

Në takimin e parë të për fazën e dytë të Superiores, ndeshja mes Luftëtarit dhe Kastriotit, kishte një protagonist absolut: Herald Marku, i cili shënoi një dygolësh në fitoren ndaj gjirokastritëve, duke ngjallur shpresat për një mbijetesë të ekipit.

Ai ishte njeriu i ndeshjes së sotme dhe kjo falë edhe trajnerit të ri, Devolli, i cili përshtat një lojë më sulmuese, ashtu siç i pëlqen Heraldit.

Ish-futbollisti i Tërbunit, i cili provoi një eksperiencë në Gjermani, po luan rregullisht me krutanët që prej emërimit të Stavri Nicës dhe së fundmi të teknikut Bledar Devolli, me të cilin duket se ka rilindur.

Pas aventurës me Tërbunin në Kategorinë Superiore, Marku u largua drejt Gjermanisë për të vazhduar karrierën në ligat e ulëta futbollistike, por pas dy sezonesh atje, vendosi që të rikthehej në Shqipëri për të firmosur me Kastriotin.

Ai erdhi në limitet e merkatos së verës dhe siç e ka pranuar edhe vetë, është përshtatur shumë shpejt me skuadrën e tij të re. Debutimi me Kastriotin u bë në ndeshjen e kupës, ndërsa në kampionat Marku e bëri “sefte” kundër Laçit. Ai konsiderohet një talent në futbollin shqiptar, aq më shumë kur mendohet se ka dalë nga akademia e Partizanit

Marku është aktivizuar në Oberliga-n gjermane me skuadra si FC Frankfurt dhe Ludwigsfelde, ndërsa problemet me dokumentet e kanë bërë që të rikthehet në Shqipëri.

Djaloshi 22-vjeçar, i gjatë 1.88 cm, ka lindur në Laç dhe me fizikun që zotëron ka të dhëna premtuese. Luan në krahun e majtë të mesfushës, por shpesh i pëlqen t’i finalizojë vetë aksionet e skuadrës.

Top Channel