Kampionati italian ofroi vërtetë përballje spektakolare gjatë ditës së sotme, pasi në 4 takimet e luajtura deri tani, janë shënuar plot 22 gola.

Gjithçka nisi në orën 12:30, kur Fiorentina arriti të triumfojë me rezultatin 3-4 në transfertën ndaj Chievos. Skuadra vjollcë luajti përreth 30 minuta me një lojtar më pak, por kjo nuk e pengoi që të rikthehej te fitorja në një sfidë plot gola.

Sfida më spektakolare ishte ajo e luajtur në Bergamo, ku Atalanta dhe Roma ndanë nga një pikë, pas një barazimi 3-3, që ishte vërtetë i pabesueshëm për mënyrën se si erdhi.

Verdhekuqtë zhvilluan një pjesë të parë perfekte dhe pas 40 minutash lojë, e panë veten në avantazh të 3 golave, të shënuar dy nga Dzeko dhe një nga El Sharawi.

Atalanta gjeti golin e parë në shtesën e pjesës së parë, ndërsa arriti ët shënojë edhe dy herë të tjera në pjesën e dytë, por shpërdoroi edhe një 11-metërsh me sulmuesin Duvan Zapata.

Një tjetër sfidë spektakolare ishte edhe ajo e luajtur mes Parmës dhe Spalit, ku vendasit shënuan dy herë me Roberto Inglessen, por përjetuan 20 minuta tmerri në fund, duke nxjerrë topin 3 herë nga rrjeta dhe duke dalë të mposhtur nga sfida.

Sfida tjetër ishte ajo e “Dall’Ara-s” mes Bolognës dhe Frosinones, që u fitua nga këta të fundit me rezultatin e thellë 0-4, kjo edhe falë faktit që vendasit mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 8 të takimit.

Kampionati italian do të vijë në orën 18:00 me sfidën Torino-Inter, ndërsa në mbrëmje vëmendja do të përqendrohet në “Olimpico”, ku do të luhet supersfida Lazio-Juventus.

Top Channel