Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten arritjen e një marrëveshjeje me demokratët në opozitë, për të rihapur përkohësisht qeverinë federale amerikane, e mbyllur prej një kohe rekord prej 5 javësh, për shkak të ngërçit mbi financimit e murit në kufirin SHBA-Meksikë.
“Kemi arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes dhe për të rihapur qeverinë federale. Brenda pak kohësh do të nënshkruaj ligjin për të hapur qeverinë tonë për 3 javë, deri më 15 shkurt”, tha Trump.
Ligjvënësit amerikanë dhe Shtëpia e Bardhë ishin vendosur përpara një presioni intensiv për të zgjidhur ngërçin, pasi qindra e mijëra punonjës federale po hynin drejt muajit të dytë pa marrë paga, ndërsa mosmarrëveshjet politike nisën të sillnin probleme edhe për disa nga aeroportet më të ngarkuara të vendit.
Edhe pse e mbrojti me vendosmëri projektin e tij për murin, që sipas tij është i nevojshëm për të mbajtur larg kriminelët dhe trafikantët e drogës, Trump nuk dha asnjë detaj në lidhje me kërkesën e tij 5.7 miliardë dollarëshe për të financuar ndërtimin e murit, një prej premtimeve kyçe të tij ndaj mbështetësve konservatorë.
Ai tha se një komitet dypalësh ligjvënësish nga Senati i udhëhequr nga republikanët dhe Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët do të punonin mbi çështjen e sigurisë kufitare, teksa çështja e financimit të murit mbetet sërish në krye të agjendës së tij.
“Përgjatë 21 ditëve të ardhshme pres që demokratët e republikanët të mund të operojnë në besim të plotë. Me të vërtetë që nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të ndërtojmë një mur të fuqishëm dhe një barrierë me tela me gjemba. Nëse nuk do të arrijmë një marrëveshje të drejtë nga Kongresi, qeveria mund të mbyllet sërish nga 15 shkurti, ose unë do të përdor fuqitë e mia bazuar në ligj e Kushtetutë, për të adresuar çështjen e emergjencës”, tha Trump.
Marrëveshja u kalua këtë të shtunë në Senat, pa përfshirë financimin për murin, por që i hap rrugën ligjvënësve të negociojnë përgjatë 3 javëve në vijim. Kryedemokrati në Senat, Chuck Schumer u shpreh disi sfidues, teksa tha se “shpresonte që presidenti t’i ketë mësuar leksionet”.
Top Channel