Skema e mashtrimit me TVSH-në përfshin 3 aktorë. Ata janë importuesit e ushqimeve, kompanitë fantazmë ndërmjetëse dhe bizneset e ndërtimit.

Për shkak se bizneset e vogla që tregtojnë ushqime rezistojnë të marrin faturë kur blejnë nga importuesit, kjo krijon mospërputhje mes sasisë së deklaruar në doganë dhe asaj të shitur brenda vendit. Pra, nëse një importues ka importuar 100 lekë mallra në doganë, por ka lëshuar fatura shitje brenda vendit vetëm për 60 lekë mallra, atëherë ai mbetet me një tepricë prej 40 lekësh që nuk mund ta justifikojë dot.

Për të shkarkuar këtë tepricë u krijuan kompanitë ndërmjetëse fantazmë. Meqënëse nuk mund të justifikojnë dot 40 lekëshin importuesit, kanë bërë transaksione fiktive sikur ia kanë shitur kompanive fantazmë. Por çfarë ndodh më pas? Kompanitë ndërmjetëse nuk kanë aktivitet dhe nuk mund të justifikojnë dot faturat e blera nga importuesit e ushqimeve. Këtu hyjnë në lojë kompanitë e ndërtimit, veçanërisht ato që fitojnë tenderat publike. Shumë nga tenderat publikë për shkak të korrupsionit fitohen me çmime anomalisht të larta. Kjo i nxjerr kompanitë e ndërtimit zbuluar me fitime jashtëzakonisht të larta duke u ngarkuar detyrimin të paguajnë shumë taksa në shtet si tatim-fitimi, ashtu dhe TVSH.

Për të shmangur pagesën e këtyre taksave, kompanitë e ndërtimit kanë rritur fiktivisht koston duke blerë faturat fiktive të kompanive fantazmë. Rrjedhimisht, 40 lekëshi është transferuar përmes ndërmjetësve nga importuesit e ushqimeve tek bizneset e ndërtimit. Këtë skemë ata e kanë përdorur edhe për të mbuluar ryshfetet e dhëna tek zyrtarët për të fituar tenderat publike.

Kjo është një skemë gjigande vjedhje, e cila vazhdon prej vitesh dhe ka devijuar qindra milionë euro nga buxheti i shtetit tek bizneset e ndërtimit. Top Channel ka mësuar se në skemë janë të përfshira kompanitë më të njohura të ndërtimit në vend, ato që kanë marrë pjesën e luanit në tenderat publikë. Por, deri më tani, autoritetet kanë ndaluar vetëm ndërmjetësit, të cilët janë puntorë të paguar dhe asnjë nga përfituesit realë, pra bosët e njohur të ndërtimit. Madje, nuk kanë nisur as procedurat për rekuperimin e parave duke shtuar dyshimet se përfituesit e vërtetë po tentohet të fshihen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA