Ilustrim, zbritja në fushën e Kamzës e ekipit të Kukësit.

Laçi ka mundur të ndalë Kukësin në një barazim pa gola këtë të shtunë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19 të Kategorisë Superiore, ose e para për gjysmën e dytë që nisi ditën e djeshme me takimin Skënderbeu-Partizani.

Ajo e zhvilluar në Kamëz ishte një sfidë me grintë dhe emocione, e mbi të gjitha me pritje të bukura nga portierët respektivë, të cilët bënë të pamundurën për të mos lejuar prekjen e rrjetave të tyre nga sulmet kundërshtare.

Ndonëse me përforcime gjatë merkatos dimërore, skuadra e Kukësit nuk mundi të zgjidhë problemin e mungesës së golave, as me ardhjen e Vasil Shkurtajt, ndërkohë që për kurbinasit, një paraqitje mbresëlënëse bëri kapiteni Gentian Selmani.

Kukësi i Armando Cungut provoi deri në fund, ndërsa po aq mirë u mbrojt edhe Laçi i Besnik Prengës, me këta të fundit që i hoqën verilindorëve një mundësi të mirë për t’i qëndruar pranë Partizanit kryesues, që triumfuan një ditë më parë në Korçë për të marrë arratinë me 5 pikë diferencë.

Top Channel