Spanja, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, që të thërrasë zgjedhjet brenda 8 ditësh, përndryshe ato do të njohin zyrtarisht opozitën.
Maduro është nën presion, pasi rivali i tij Juan Guaidó e shpalli veten president. Disa vende, mes të cilëve SHBA, por edhe Shqipëria e Kosova, e kanë njohur Guaidón si president.
Të shtunën, një përpjekje e Rusisë për të bllokuar diskutimet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Venezuelën, dështoi.
Presidenti Maduro, që e ka akuzuar kreun e Asamblesë Kombëtare Guaidó se ka kryer një “grusht shteti” dhe ka prerë lidhjet me SHBA, u betua për një mandat të dytë më herët këtë muaj. Por, votimi u shënua nga bojkoti i opozitës dhe akuzat për manipulim votash, gjë që çoi edhe në protesta të mëdha antiMaduro.
Të shtunën, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se Spanja kishte përgjegjësi ndaj Amerikës Latine.
“Ne – tha ai, – nuk kërkojmë të ndryshojmë apo rrëzojmë qeveri. Ne duam demokraci dhe zgjedhje të lira në Venezuelë”.
Franca, Britania dhe Gjermania bënë po ashtu deklarata të ngjashme, në atë që ngjason me një kërkesë të koordinuar për zgjedhje të reja në Venezuelë.
Top Channel