Me mijëra protestues janë rikthyer në rrugët e Francës, këtë të shtunë, për të 11-n fundjavë radhazi. Qeveria ka nisur tashmë forumet publike, në një përpjekje për të zbutur zemërimin.
Ndërkohë, një listë kandidatësh “jelekverdhë” për zgjedhjet europiane është prezantuar, por të dyja këto lëvizje sërish i kanë lënë protestuesit skeptikë.
“Debati i madh nuk është i dobishëm, por thjesht shërben si fushatë për Macronin”, tha një protestues.
“Për mua, nëse kandidatët e jelekverdhëve do të fitojnë, edhe ata do të përfundojnë si të gjithë politikanët e tjerë duke kërkuar parà, parà dhe vetëm parà, e në fund nuk do të përfaqësojnë më aspak jelekverdhët”, tha një femër.
“Unë marr pension 420 euro në muaj. A nuk mendoni se kjo është shqetësuese? 420 euro, a mendoni se mund të jetohet me kaq parà?”, tha një burrë.
Autoritetet franceze kanë marrë masa për të evituar dhunën e shfaqur në protestat e javëve të shkuara, kur protestuesit janë përleshur me policinë në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera. Javën e kaluar, rreth 27 mijë protestues dolën në rrugë, ndërsa dy javë më parë shifra ishte 84 mijë.
Lëvizja e “jelekverdhëve” nisi si një kundërshtim ndaj rritjes së çmimit të naftës, por mori shumë shpejt përmasa të mëdha, me protestuesit që kërkojnë madje edhe largimin e presidentit.
Top Channel