Rikthehet sot Kategoria Superiore e futbollit shqiptar me një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 19, siç është ajo mes Skënderbeut dhe Partizanit, që zhvillohet në Korçë, në orën 17:00.

Një duel ky i dy skuadrave pretendente të këtij sezoni, “Të kuqtë” kryesues që duken se janë në vitin e tyre të duhur me një nga ecuritë më pozitive të viteve të fundit, ndërkohë që Skëndërbeu me shpresën e një rezultati pozitiv që do ta rifuste në garë kërcënueshëm. 7 pikë është diferenca mes Partizanit dhe korçarëve që e mbyllën vititn 2018 me rezultate jo të mira, gjë që i ka bërë të zbresin në vendin e pestë për momentin, por duke qenë se kjo është java e parë e gjysmës së dytë të sezonit, gjithçka mbetet e rikuperueshme pasi ka ende shumë pikë në lojë.

Për të kuqtë dy sfidat e mbetura sezonale me Skënderbeun konsiderohen gjithashtu përcaktuese për objektivin titull. Skuadra që drejtohet nga Orges Shehi është e vetmja që i ka marrë pikë të plota Partizanit në dy fazat e para. Të kuqtë me asnjë kundërshtar tjetër të Superiores nuk kanë bilanc negativ. Me dy rivalët më të afërt, Kukësin dhe Teutën, kanë grumbulluar 4 pikë nga 6 të mundshme.

Gjithsesi, sa i përket formacioneve, korçarët vijnë në këtë ndeshje me mungesa të rëndësishme siç është Dejvi Bregu, Demte, Lulaj dhe Aliti, ndërkohë më i plotë duket të jetë Partizani në këtë ndeshje që në dyshim ka vetëm Bruno Telushin, i cili vuan një dëmtim që nga miqësorja me Dinamon e Zagrebit gjatë fazës përgatitore dimërore në Turqi.

Ditën e shtunë do të luhet Kukësi-Laçi. Verilindorët janë skuadra që ka bërë një nga merkatot më të zhurmshme të këtij dimri, duke marrë dy nga lojtarët më të spikatur të kampionatit si Rrocën dhe Shkurtajn dhe përpos tyre kërkesat e presidentit Gjici tashmë janë të qarta e të padiskutueshme: titulli. Gjithsesi, ndeshja ndaj Laçit mbetet një përballje shumë e rëndësishme për ta për të mbajtur ecurinë pozitive që patën në mbyllje të vitit të shkuar.

Kjo javë do të mbyllet ditën e dielë me të tjera ndeshje të rëndësishme, ku me kuriozitet pritet përballja e Tiranës me Kamzën apo Teutës me Flamurtarin.

Top Channel