Besnik Cani, i cili ka mbajtur detyrën e Prokurorit të Elbasanit, është një prej anëtarëve të institucionit më të ri të organit të akuzës, Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por përzgjedhja si anëtar i KLP, nuk do të thotë përfundim i procesit të vettingut.
ONM, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ka kërkuar apelimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke rikërkuar rivlerësim të figurës së Besnik Cani si Prokuror.
Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të vendosur nëse do të apelojë ose jo vendimin, duke çuar anëtarin Këshillit të Lartë të Prokurorisë nën sitën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e cila do të vendosë nëse Besnik Cani do të vijojë detyrën e tij, apo do të largohet përgjithmonë nga organi i akuzës.
Brenda ditës Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli trupën gjyqësore që do të shqyrtojë ankimin për anëtaren tjetër të KLP, Antoneta Sevdari. Trupa do të përbëhet nga gjyqtarët Luan Daci, Sokol Como, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Rezarta Schuez.
Deklarata e Institucionit të Komisionerëve Publikë
Në datë 27.11.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan.
Në datë 25.1.2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka njoftuar Komisionerëve Publikë vendimin nr. 84, datë 27.11.2019, në lidhje me konfirmimin në detyrë të z. Besnik Cani, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në të njëjtën datë, 25.1.2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Besnik Cani.
Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/
Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Top Channel