Shënoi 5 gola në 4 javët e para të kampionatit dhe karakteristikat e tij i kujtojnë tifozëve ato të Andrij Shevcenkos. Blerja e re ka entuziazmuar kampin kuqezi dhe futbollisti më i ri i Milanit, Kristof Piatek në ditën e tij të prezantimit premtoi të bëjë atë që di më mirë, golat.
“Kam lindur gati dhe do të bëj të pamundurën që të kualifikon Milanin në Ligën e Kampioneve. Mund të them gjithçka këtu në këtë konferencë, por më mirë do ta tregojë fusha. Unë dua të shënoj shumë gola. Nuk mendoja se do të vinte kjo ditë, të isha në krah të një emri si Maldini të cilin e kam admiruar gjithmonë” tha sulmuesi polak që do mbajë fanelën me numrin 19.
Ai zyrtarizoi kalimin te Milan në të njëjtën ditë që nga skuadra kuqezi u largua bomberi Gonzalo Higuain, argjentinasi nga i cili prisnin shumë në San Siro, por u iku me epitetin e tradhtarit nga tifozët. Për sulmuesin e ri të Celsit, foli drejtori i klubit, braziliani Leonardo.
“Higuain bëri zgjedhjen e tij dhe ka pak gjëra për tu thënë. Te Milan qëndron ai që ka dëshirë dhe ne duam njerëz që të jenë të përfshirë në projekt” tha Leonardo.
Top Channel