Kupa e Mbretit, Barcelona rrezikon eliminimin

24/01/2019 12:51

Barcelona vë në rrezik mbrojtjen e Kupës së Mbretit në Spanjë. Skuadra katalanase humbi ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Sevilla, në sfidën që u konsideriua një përsëritje e finales së sezonit të kaluar të këtij kompeticioni.

Në “Sanchez Pizjuan”, Sevilla iu imponua skuadrës kampione të Spanjës me rezultatin 2-0, ku ata që vendosën takimin në favor të andaluzianëve ishin Pablo Sarabia dhe Ben Yedder.

Në këtë ndeshje Ernesto Valverde i Barçës kishte bërë shumë ndryshime, duke lënë jashtë skuadre Lionel Messin dhe hodhi në fushën e lojës që nga minuta e parë blerjen më të re të skuadrës: Kevin Prince Boateng. Por, gjërat nuk funksionuan për skuadrën e tij, kjo për meritë të Sevilla që zhvilloi një lojë shumë të mirë përballë Barcelonës.

Pjesa e parë përfundoi me barazimin 0-0, ndërsa në 45 minutat e dyta Sevilla e rriti ritmin e lojës së saj dhe në minutën e 58 shënoi golin e parë me Pablo Sarabian pas një krosimi të Promes. Por, Sevilla nuk e la me kaq. Në të 76-n minutë, Ben Yedder shënoi edhe golin e dytë për këtë skuadër, pas një pasimi të Banegës.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet javën e ardhshme në “Camp Nou” dhe Barcelonës i duhet të fitojë të paktën 3-0 për t’u kualufikuar në gjysmëfinale.

Top Channel