Prezantimi i produkteve bujqësore dhe jo vetëm bëhet në treg. Për këtë arsye në çdo qytet ka një treg ushqimor ku sipas standardit ai duhet të jetë i izoluar, i pastër dhe me çati.

E jo siç është qyteti i Durrësit, ku çatia është një copëz plastmasi e vendosur nga vetë tregtarët. Nëse bashkia duhet të kujdeset për infrastrukturën e tregut ushqimor, tregtarët duhet të bëjnë kujdes me mënyrën se si i shesin produktet ushqimore.

Për shembull bizelet e ngrira, ulliri, nënproduktet e qumështit ato nuk duhet të shiten në ambient të hapur.
Top Channel: Sa e vështirë është për ju të tregtoni në këto kushte?

Tregtari: Më vështirë më nuk ka ku të shkojë. Ne punojmë vetëm nga e keqja sepse nuk kemi ku të shkojmë.

Top Channel: Po kur vijnë klientët e kane problem të blejnë ullirin sepse këtu është pisët?

Tregtari: Thonë, po do të haj ai e merr nga e keqja. ”

Top Channel: A keni merak kur merrni një produkt ushqimorë?

Qytetari: Kur laget po. Sa do që ta lash atë me ujë dhe sodë prap mikrobin e merr.

Kur të vini brenda në markatën e Durrësit bëni kujdes, në ditët më shi merrni çadrën me vete.

Top Channel: A keni merak kur e blini produktin?
Qytetari: Ja kemi, çfarë do të bëjmë. E mirë, e ndyrë do ta hash.

Kavajë
Sigurinë ushqimore nuk duhet ta kërkojmë vetëm tek cilësia e produktit, por edhe tek mënyra se si tregtohet.

Top Channel bëri një vëzhgim në qytetin e Kavajës dhe ajo që vumë re është se ky qytet nuk ka një treg ushqimorë, për këtë arsye produktet ushqimore shiten në trotuarë ose pranë disa tezgave të improvizuara, ku produktet ushqimore si ulliri apo turshit shiten në ambient të jashtëm.

Fier
Ndryshe nga qyteti i Durrësit dhe Kavajës, Fieri e ka një treg. Është pikërisht godina dy katëshe mbrapa meje.
Në katin e parë shitet mishi dhe nënproduktet e qumështit, ndërsa në katin e dytë shiten perimet dhe zarzavatet. Ajo që vumë re ne është se djathi, gjiza, gjalpi nuk tregtohen në kushte frigoriferike ashtu sic e kërkon standardi.

Në qoftë se një inspektorë i AKU-së do të kalonte në këtë treg e para gjë do të bëntë do të ishte informimi se si tregtarët duhet të shesin këto produkte. Pasi kështu siguron shëndetin e konsumatorit.

Top Channel