Dy muaj pas shpërthimit të skandalit të Unazës së Re, me kërkesë të prokurorisë, gjyqtarja Ardian Bera vendosi masën e arrestit në burg për Avdiol Dobin, administratorin e kompanisë “DH Albania”.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se mbi Dobin rëndojnë 3 akuza: mashtrimi që ka lidhje me skandalin e unazës, falsifikim dokumentash si dhe pastrim parash. Kjo e fundit është referuar më datën 13 dhjetor 2018 nga Drejtoria e Policisë Tiranë.

Por, edhe në masën e sigurisë të kërkuar në gjykatë për Dobin, prokuroria thotë se ka dyshime që 26-vjeçari të ketë kryer një sërë transaksionesh të dyshuara.

Skandali i kompanisë “DH Albania” shpërtheu kur mediat publikuan dokumente se kompania kishte falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit në Delaware për të fituar dy tendera me vlerë 30 milionë euro në Shqipëri.

Pas konfirmimit të falsifikimeve nga autoritetet amerikane, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet. Por, ndonëse është thirrur disa herë nga prokuroria për t’u marrë në pyetje, Avdiol Dobi nuk është paraqitur në organin e akuzës.

Nga kqyrja e sistemit TIMS rezulton se ai nuk ka dalë jashtë Shqipërisë, por ende nuk është gjetur nga Policia e Shtetit me gjithë masën e sigurisë që është shpallur në datën 19 janar.

Bashkë me Dobin janë vendosur nën hetim dhe zyrtarë të lartë të Autoritetit Rrugor, Operatorit të Transmetimit dhe Ministrisë së Energjisë, për të cilët pritet që së shpejti të ketë veprime konkrete.

Gjithashtu, po hetohen edhe kompanitë e tjera të lidhura me të si dhe administratorët e tyre.

Ndërkohë, ditët e fundit, ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë shkarkoi si drejtorin e ARRSH-së, Afrim Qendro ashtu dhe atë të OST-së, Klodian Gradeci, të dy këta të marrë në pyetje nga prokuroria javën e kaluar së bashku me antarët e komisionit të vlerësimit të ofertave në të dy tenderat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA