Ekonomia botërore pritet të ketë rritje me rreth 3% këtë vit. Në Bashkimin Europian, vendi kryesues në këtë drejtim nuk është ashtu siç mund të pritej motori ekonomik i “Kontinentit të Vjetër”, Gjermania. Në fakt, është Polonia, e cila llogaritet të ketë një rritje me 5%.

Në Gjermani rritja ekonomike pritet të jetë 1,8% e po kaq do të jetë dhe ajo e Francës. Elliot Harris, kryeekonomisti i OKB, i cituar nga DW, thotë se tensionet për çështjet tregtare “janë duke ndikuar tashmë në tregtinë globale dhe tregun e punës”.

Po ashtu, rritja e borxheve publike në shumë vende e bën të vështirë sigurimin e shërbimeve bazë. Prandaj forcimi i bashkëpunimit ekonomik është bazë për zhvillimin e qëndrueshëm, thuhet në raport.

Ndërkohë, në rajone si Europa Juglindore, rritja në vitin 2018 ka qenë më e shpejtë dhe prodhimi i përgjithshëm bruto pritet të rritet në 2019 dhe 2020 me 3,7%, theksohet në dokument.

Serbia, ekonomia më e madhe e rajonit ka përfituar nga rritja e investimeve dhe prodhimet e larta në bujqësi dhe ndërtim, ndërsa Shqipëria ka patur zhvillim “solid” të ekonomisë, por përparimet afatgjata rrezikojnë të mbeten të ulta, nëse nuk përmirësohet infrastruktura industriale dhe varësia nga financimet e huaja.

Rritja ekonomike në Maqedoni filloi të dalë nga niveli zero që ishte vitin e fundit. Një valë e madhe investimesh i dha hov rritjes ekonomike në Mal të Zi, megjithatë, sipas OKB-së, përfundimi i disa projekteve të infrastrukturës do ta përmirësonte ndjeshëm perspektivën e zhvillimit atje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA