Qeveria do të ndalojë koncesionet e pakërkuara për ndërtimin apo mirëmbajtjen e rrugëve duke filluar që nga data 1 korrik e këtij viti.

Nisma ligjore e cila është përgatitur nga Ministria e Financave, i jep fund një prej mekanizmave më të përfolur, përmes të cilit qeveria koncesionoi projekte rrugore me vlerë 1 miliard euro tek kompanitë private.

Sipas projektligjit, i cili është dorëzuar në Parlament në fillim të këtij muaji, duke filluar që nga data 1 korrik shteti shqiptar nuk do të pranojë më asnjë propozim të pakërkuar nga kompanitë private për koncesione në rrugë. Të vetmet projekte të pakërkuara që do të pranohen janë ato në fushën e porteve, aeroportove, prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike si dhe gazit natyror. Madje, edhe në këto fusha kompanitë që do të bëjnë ofertën e pakërkuar të koncesionit nuk do të shpërblehen më me bonus 10% të pikëve si tani, por me kompensim financiar nga buxheti i shtetit deri në 1% të vlerës së projektit, duke hyrë në garë pa avantazh ndaj kompanive të tjera.

Për të gjithë sektorët e tjerë, projektet koncesionare do të nisin vetëm atëherë kur kërkohen nga vetë shteti, përmes një institucioni të posaçëm, Komitetit të Përzgjedhjes së Koncesioneve, i cili do të ngrihet rishtaz.

Veç ndalimit të koncesioneve të pakërkuara në rrugë, projektligji forcon edhe mbikqyrjen shtetërore mbi kontratat ekzistuese duke i dhënë më shumë fuqi veçanërisht Ministrisë së Financave. Kjo ministri do të ketë fuqinë që të ndalojë çdo projekt koncesionar që në fazën e studimit të fizibilitetit nëse e gjykon se nuk është në interes publik dhe madje të ndalojë edhe shitjen e koncesioneve ekzistuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA