Një ditë para nominimeve për çmimet “Oscar”, yjet e “Hollywood”-it kanë mësuar edhe se kush është në garë për çmimet që nuk i do askush: “Mjedrën e artë”.
“Razzies” akordon çmime, si për shembull ai për “filmin më të keq”, “aktorin më të keq” dhe “aktoren më të keqe”. Këtë vit, Johnny Depp dhe ish-bashkëshortja e tij, Amber Heard, janë mes atyre që janë “nderuar” me këto nominime.
Edhe fituesja e çmimit “Oscar”, dama Helen Mirren ka marrë nominimin e parë të saj për çmimet “Razzie”, ndërsa çifti John Travolta dhe Kelly Preston janë kandiduar gjithashtu.
Ata janë nominuar si “aktori më i keq” dhe “aktorja mbështetëse më e keqe”, respektivisht për rolet e tyre në dramën “Gotti”, që ka po ashtu 6 nominime, përfshirë atë të “filmit më të keq”. Travolta luan rolin e bosit të mafies, John Gotti, ndërsa Preston luan të bijën e tij, Victoria, në filmin e masakruar nga kritika.
Ndërkohë, Depp dhe Heard, që u divorcuan dy vite më parë, në mesin e akuzave për dhunë në familje, janë nominuar si “aktori dhe aktorja më e keqe”, për rolet në “Sherlock Gnomes” dhe “London Fields”.
Melissa McCarthy, edhe kjo e nominuar si “aktorja më e keqe” për “The Happytime Murders” dhe “Life of the Party”, mundet ndërkohë të marrë një nominim për “Oscar” të martën, për rolin në “Can You Ever Forgive Me?”.
Top Channel