Bilancet e bankave janë pastruar nga kreditë e këqija, por kolateralet apo siç njihen ndryshe garancitë pasurore që jep huamarrësi vazhdojnë të qëndrojnë në regjistrat bankare.

Nga rreth 55 miliardë lekë kolaterale të bllokuara, rreth 60% e kësaj shume i takon kredive për biznes.

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë: “Po të themi janë rreth 30-35 miliardë lekë kolaterale që flenë sot në librat e bankave dhe që nuk mund të hidhen, nuk mund të realizohen në transaksione në treg për shkak të mungesës së interesit për këtë lloj kolaterali”.

Për bankat është më thjeshtë dhe deri diku e suksesshme shitja e garancive pasurore të apartamenteve të banimit, të kredive të dhëna për individët, por për farbrikat apo linjat e prodhimit shitja është pothuajse e pamundur.

“Në treg mungojnë trasnsaksionet, mungojnë blerësit që mund të marrin dhe të blejnë këto lloj kolateralesh të cilat ndonjëherë janë në vlera të mëdhaja dhe përgjithësisht ajo që tërheq tani në Shqipëri në kuadër të turizmit dhe bujqësisë, i nxjerr këto kolaterale që i takojnë kryesisht industrisë, jashtë vëmendjes dhe interesit të tyre”, sqaron Brumbulli.

Kjo situatë ka ndikuar jo pak bankat të preferojnë më shumë dhënien e kredive për individë sesa të financojnë bizneset në sipërmarrjet e tyre: “Është një nga arsyet të themi që i bën edhe bankat jo dëshiruese që të marrin dhe të pranojnë çdo lloj kërkese tashmë nga biznesi i madh për financim sepse siguria është element kryesor në dhënien e kredisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA