Në sheshet publike në Kinë nuk është e pazakontë të shohësh të moshuar që praktikojnë kërcim, “tai chi”, apo edhe këngë.
Wang Jinxiang nuk bën dallim. Përveçse këndon, ajo i transmeton madje drejtpërdrejt performancat e saj, për një audiencë prej mijëra vetësh “online”.
62-vjeçarja është në mesin e një mase të moshuarish që përpiqen të bëjnë emër në skenën masive të medies sociale në Kinë, një univers ky që zakonisht pushtohet nga të rinjtë.
E patrembur edhe nga temperaturat e ulëta të dimrit, Wang jep spektakël në një shesh pranë stadiumit “Foleja e zogut”, në Pekin.
“Çfarë kënge do të donit të dëgjonit më pas?”, pyet ajo 23 mijë ndjekësit, për të cilët mban një orë spektakël.
“Të moshuarit duhet të gëzojnë dhe të kalojnë kohën më të mirë të tyre, kur fëmijët bëhen të pavarur dhe prindërit e tyre nuk jetojnë më. Ata nuk janë të kufizuar nga rrethanat. Pra, gëzojeni jetën tuaj dhe bëni çfarë të doni. Unë besoj se kjo është një mënyrë e mirë për të shpenzuar vitet e jetës që ju kanë mbetur”, tha Wang Jinxiang.
Ajo e nisi këtë hobi të saj, pasi mësuesi i nipit i tregoi asaj platformën “online” të këndimit, “Quan Min Karaoke”, dy vite më parë. Ajo ra menjëherë në dashuri me të. Wang ndien se ka gjetur një mënyrë për të shprehur veten, e tani kalon dy orë çdo ditë duke kënduar dhe duke performuar shfaqje “live” mode.
Fansat i dërgojnë asaj dhurata virtuale, që më vonë mund të këmbehen në parà, kjo edhe për faktin se Kina ka një mori aplikacionesh pagimi dhe platforma të medies sociale që lejojnë njerëzit të këmbejnë parà.
Top Channel