Vajtja në Laredo, qytetin teksan në kufi me Meksikën, është një opsion i përditshëm për shumë meksikanë që jetojnë vetëm disa kilometra më tej.

“Kam ardhur këtu për të bërë blerje. Duhet të blej disa gjëra që nuk mund t’i gjej në vendin tim”, tha Nubia Almaguer, meksikane.

Biznese të tilla, si dyqanet e veshjeve, varen kryesisht te klientët e tyre meksikanë. Ndërsa këmbëngulja e presidentit Donald Trump, për të vendosur një mur mes tyre për të ndaluar emigracionin, nuk është aspak i pëlqyer këtu.

“Të ndërtosh një mur këtu do të thotë të bësh një hap prapa. Një mur është një hap prapa, që na prek neve në plan ekonomik, social, moral. Na prek shumë”, tha Leonides Ibanez.

Rreth 17 mijë vetë në të dyja anët e kufirit e kapërcejnë Rio Granden çdo ditë. Shumë prej tyre për shkollë apo punë. Njerëzit që jetojnë në Nuevo Laredo, në anën meksikane, kanë karta kalimi që i lejojnë ata të hyjnë lirisht në SHBA.

Por, nuk janë vetëm meksikanët që përfitojnë nga kalimi përtej kufirit. Edhe amerikanët e bëjnë këtë.

“Shumë njerëz, përfshirë edhe veten time, kalojnë në anën tjetër për konsulta me mjekët, sepse është shumë më lirë atje. I njëjti ilaç është po ashtu më i lirë në anën tjetër të kufirit, sesa këtu”, tha Jennifer Fanelli.

Laredo është një biznes i madh për të dyja vendet. 200 miliardë dollarë mallra kalojnë aty çdo vit. Kryebashkiaku i qytetit do që ta mbajë këtë trajektore të hapur.

“Ne nuk na duhet një mur fizik, ne jemi për një mur virtual, që është më shumë teknologji, më shumë personel, të pastrohet zona e lumit nga bimësia e dendur, në mënyrë që patrullat kufitare të kenë më shumë fushëpamje”, tha Pete Saenz, kryebashkiak i Laredos.

Rreth 95 për qind e popullatës së Laredos është latine. Dy anët ndajnë dekada bashkëpunimi dhe tradite përmes një kufiri natyror që është Rio Grande. Ata thonë se muri fizik është diçka që shkon shumë larg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA