Parlamenti mblidhet pasdite në seancë të jashtëzakonshme për të votuar dekretet e Presidentit Ilir Meta mbi ndryshimet e fundit në qeveri.

Ilir Meta duket se e ka marrë me qetësi dhe pritet që të mos dekretojë para seancës propozimin që Edi Rama të jetë edhe ministër i Jashtëm.

“Kushtetuta e para, Kushtetuta e para”, tha Meta për gazetarët.

Pa qetësi, mazhoranca po pret që kreu i shtetit të shprehet para seancës për shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe emërimin e kryeministrit Edi Rama formalisht në krye të diplomacisë.

“Besoj se deri në 17:00 Presidenti t’i ketë dhënë fund kësaj historie të pakuptimtë të krijuar artificialisht dhe në të gjitha ministritë të vijojë puna”, u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Ndryshimet e fundit në kabinet nuk kanë lënë indiferentë opozitën, e cila, si rallëherë, ka regjistruar të gjithë emrat e deputetëve për të folur në Parlament, veprim që, sipas mazhorancës, rregullorja nuk ua lejon për shkak se sot nuk parashikohen diskutime, por vetëm votim të dekreteve të Presidentit.

Porositë e fundit, opozitarët pritet t’i marrin në mbledhjen e orës 16:00, para nisjes së seancës ku do të vendoset mbi mënyrën e reagimit nëse fjala e tyre nuk lejohet në Parlament.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA