Ka marrë fund arratia më se dyvjeçare e Klement Balilit, i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, “Baroni i drogës”, apo edhe “magjistari”.

Balili është dorëzuar nën shoqërinë e avokatit të tij mbrojtës pranë policisë, në një kohë kur Prokuroria e Krimeve të Rënda sapo kishte dorëzuar dosjen hetimore në në gjykatë për të paktën 4 vepra penale, më të rëndat e të cilave “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijim e pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal”.

Por, pavarësisht vetëdorëzimit edhe në prani të njërit prej familjarëve të tij, policia pretendon se 46-vjeçari nuk e përballoi dot presionin dhe rrethimin policor, të paktën gjatë dy muajve të fundit, duke ngushtuar zonën ku Balili strehohej, në Delvinë. Për këtë arsye, Klement Balili ra në duart e uniformave blu, pas negociatave edhe me drejtues të Policisë së Shtetit.

“Policia shqiptare ka finalizuar sot një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm, për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmues, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët tanë. Nga sot, drejtësia shqiptare merr në duart e saj njërin prej personave më të kërkuar në Shqipëri dhe përtej saj, ndërsa qytetarët dhe partnerët e vendit tonë marrin jo vetëm një lajm të rëndësishëm, por dhe një mesazh shumë të qartë për Shqipërinë që duam”, tha ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

Si për rastësi, dorëzimi i Balilajt përputhet me kohën kur prokurori Eneid Nakuci mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykatë fashikullin hetimor për 46-vjeçarin, i cili përpos çështjeve të drogës dhe të grupit kriminal, akuzohet edhe për fshehje dhe deklarim të rremë, si dhe pastrim të produkteve penale.

Fashikulli hetimor – thotë Prokuroria, – përbëhet nga 30 volume, së bashku me provat materiale, të cilat këtë të hënë Top Channel i raportoi se ishin përcjellë nga Greqia përmes një letërporosie.

Prokuroria e Krimeve të Rënda qëndroi në pritje të këtyre provave përgjatë të gjithë vitit 2018, ndërsa siç thuhet jozyrtarisht, dy skafistët e arrestuar në Greqi për këtë çështje nuk kanë rrëfyer asgjë domethënëse për hetimin.

Si prova, Prokuroria ka një varg përgjimesh, për të cilat vet Balili nga arratia ka kundërshtuar të ishte numri i tij i telefonit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu pohon se ka negociuar prej muajsh me familjarët e Klement Balilit për dorëzimin e tij, ndërkohë që ministri i Brendshëm e konsideroi këtë çështje si një kapërcim të policisë drejt një niveli tjetër.

“Arrestimi i sotëm është një rezultat shumë domethënës për drejtësinë në Shqipëri dhe një provë e qartë se, Policia e Shtetit është në një nivel krejt të ri gatishmërie për t’u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. E gatshme dhe e aftë për të kaluar në një fazë të re dhe vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka marrë sot një tjetër rezultat të merituar të një kapërcimi historik në mendësi dhe në aftësinë e saj goditëse”, tha më tej Lleshaj.

Paralelisht me mbylljen e hetimeve dhe vlerësimin paraprak të provave, pas dorëzimit të Klement Balilit, Prokuroria do të dorëzojë edhe një kërkesë të dytë për caktimin e masës së sigurisë për 46-vjeçarin , një masë që gjatë kësaj kohe ka qenë në fuqi në mungesë të tij.

Top Channel