Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për 4 ushtarakët e arrestuar për grabitjen në bazën ushatarake të Pashalimanit.
Prokurori i çështjes, Hyrjet Lamaj kërkoi vlerësim të ligjshëm të “arrestit me burg” për 4 ushtarakët e ndaluar; Ardit Ramaj, Edlir Nelaj, Lesko Ramosako dhe Ervis Memsullaj.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës kërkuan një masë sigurie më të lehtë, atë të “detyrimt të paraqitjes” në Policinë Gjyqësore.
Për këtë, avokatët mbrojtës theksuan se depoja e armatimeve rezulton se nuk ka as kushtet më minimale të sigurisë. Sipas tyre mungon ndriçimi, por edhe kamerat e sigurisë nuk janë funksionale prej kohësh.
Një prej ushtarakëve të ndaluar rezulton se ka marrë shërbimin në orën 8 të mëngjesit, ndërkohë që grabitja dyshohet se ka ndodhur natën. Pala mbrojtëse theksoi gjithashtu se, shërbimi i rojes është kryer në kushte mjaft të vështira të motit dhe temperaturave të ulëta.
Megjithatë, këto pretendime nuk e bindën gjyqtaren e çështjes, Herita Çela, e cila la në burg 4 ushtarakët, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “dëmtim të aseteve ushtarake”.
Vjedhja e armëve në bazën e Pashalimanit u konstatua të enjten e kaluar. Ndonëse nuk dihet specifikisht, dyshohet se janë marrë një arsenal armësh nga ato të kalibrave të lehtë, deri te më të rëndët, përfshirë dhe plumba blindshpues.
Top Channel