Qendrat studentore kanë pak kohë që kanë kaluar në varësi të Bashkisë së Tiranës, por puna për rikonstruksionin e tyre po vijon me ritme të shpejta.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në godinat e konviktit të Universitetit të Mjekësisë, e më pas zhvilloi një bashkëbisedim me studentët që jetojnë aty.

Puna ka nisur fillimisht me sallat e leximit dhe bibliotekat, për t’i lënë radhën më pas, gjatë verës, kur studentët marrin pushimet vjetore, rikonstruksionit total të tyre.

“Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si vlon puna edhe në fundjavë, fill mbas festave dhe motit të keq, për të transformuar qendrat tona studentore. Qendrat studentore sapo i kanë kaluar Bashkisë së Tiranës, prandaj si çdo gjë që Bashkia e Tiranës prek me dorë, sigurisht që edhe ato do të shkëlqejnë. Ka filluar rikonstruksioni i konvikteve te Inxhinieria, që sot janë dita me natën”, tha kryebashkiaku.

Aktualisht, te rezidencat e Mjekësisë janë larguar zaptuesit e mjediseve që i kishin kthyer ato në kafene dhe pika bastesh, ndërkohë që po punohet për rehabilitimin e tyre, me qëllimin ofrimin e kushteve sa më të mira për studentët e ardhur nga rrethet në Tiranë.

“Së pari, kemi nxjerrë jashtë rezidencës të gjithë zaptuesit politikanë, të cilët këtej frymëzojnë protestat, ose mundohen t’i përdorin dhe keqpërdorin ato, dhe këtej gëzojnë të mirat materiale të mjeljes së studentëve. Kështu që, siç e shikoni, kanë dalë jashtë, dhe për të mbajtur edhe atë premtim që i dhashë Këshillit Bashkiak, që nuk pres leksione nga dikush që vetë zapton dhe na flet pastaj për liri studentore. Prandaj, jashtë politikanët, brenda studentët. Ambienti do t’i kthehet studentëve, përfshi edhe kafen dhe gjithë hapësirat e nevojshme për argëtim”, tha më tej Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje studentëve që të rikthehen në auditoret e mësimit për mbylljen në kohë të këtij viti akademik, çka do t’i jepte mundësinë Bashkisë së Tiranës që gjatë muajve të verës, kur ata janë me pushime, të ndërhyjë edhe për rikonstruksionin e dhomave.

“Aktualisht mund të ndërhyjmë vetëm në sipërfaqet e jashtme dhe në sipërfaqet e përbashkëta. Nëse ka ende studentë që për interes dhe për ideal të partisë vazhdojnë dhe protestojnë, do të thotë se shkolla do të shtyhet në gusht-shtator, ndërsa në tetor ata do të duhet të kthehen. Pra, na lë zero hapësirë që të mund të rregullojmë edhe dhomat. Ndaj, u kërkoj studentëve, jo për politikë, por vetëm për interesin e tyre, shkoni në mësim që shkolla të mbarojë kur duhet, në korrik, që ne të kemi mundësi gjatë muajve gusht-shtator të punojmë nëpër dhoma, dhe kur të ktheheni në tetor, t’i gjeni gati. Nëse për ideal të partisë do të vazhdojë tollovia e mosvajtjes në mësim, të vetmit që humbasin janë vetë studentët sepse nuk do na lënë hapësirë që t’ju rregullojmë dhomat për t’u kthyer në tetor”, tha Veliaj.

Interesimit të studentëve për “Kartën e Studentit”, kryebashkiaku iu përgjigj se me ligjin e ri kjo kompetencë u ka kaluar vetë universiteteve. Gjithsesi, Veliaj shprehu gatishmërinë se nëse drejtuesit e këtyre universiteteve heqin dorë nga kjo përgjegjësi që u takon sipas ligjit, Bashkia e Tiranës është e gatshme që ta realizojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA