Pas eksperimentit tejet pozitiv me Elis Bakajn, skuadra bjelloruse e Shakhtar Soligorskut ka vendosur t’i rrëmbejë sërish Kategorisë Superiore, golshënuesin më të mirë të gjysmës së parë të sezonit.

Bëhet fjalë për sulmuesin e Teutës, Amadou Latif, i cili është golshënuesi më i mirë i Superiores me 9 gola të shënuar, por sot është larguar drejt skuadrës nënkampione të Bjellorusisë.

Mediat sportive në vend raportojnë se për këtë transferim, klubi durrsak ka përfituar një shifër të rëndësishme, ndonëse nuk janë bërë ende të ditura detajet e marrëveshjes.

Ky është një rikthim për Amadou Latif në kampionatin e Bjellorusisë, pasi në vitin 2016, para se t’i bashkohej Teutës, ka qenë pjesë e Dinamos së Brestit.

Kujtojmë që dimrin e kaluar klubi i Shakhtar Soligorskut mori nga Kukësi sulmuesin Elis Bakaj, i cili ishte golshënues i Superiores deri në atë periudhë.

Top Channel