Euro ka pasur një përmirësim këtë javë, duke kapur kuotën 125.5 lekë të premten, por shoqatat e eksportuesve të bashkuara, fasonistë agropërpunes e bimë medicinale, kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për të stabilizuar kursin e këmbimit, i cili sipas tyre nuk ka lëvizur për arsye normale, por për shkaqe jashtë faktorëve ekonomikë.
“Në bazë të disa perceptimeve tona, për të shkaktuar një rënie kaq drastike të euros do të duheshin disa miliarda euro të shtuara në ekonomi. Ndërkohë që eksportet shqiptare nuk rezultojnë të jenë shtuar me miliarda. Kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme për të stabilizuar kursin e këmbimit euro-lek”, tha Alban Zusi.
Problemi i dytë është rimbursimi i TVSH-së.
“Kërkojmë nga ana e qeverisë të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së, sipas ligjit, dhe me përparësi për ndërmarrjet e përpunimit aktiv dhe ndërmarrjeve të tjera, që iu takon sipas ligjit ‘Rimbursimi i TVSH-së’”, u shpreh më tej Zusi.
Eksportuesit shpresojnë të ulen në bisedime me qeverinë, por nuk përjashtojnë mundësinë e protestave nëse nuk do të veprohet nga autoritetet.
Top Channel