Konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministri Tsipras dhe kancelares, Merkel në Athinë, kishte përveç të tjerash edhe referime për Shqipërinë. Sipas kreut të qeverisë greke, vizioni i perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazohet tek respektimi i sistemit të ligjeve dhe rregullave të BE-së, pra është i kushtëzuar, ka theksuar ai.

“Në këtë kontekst kam pasur rastin të flas me zonjën Merkel për perspektivën e Shqipërisë, të cilën e përkrahim në mënyrë aktive, por në të njëjtën kohë besoj se ka disa çështje të rëndësishme siç është respektimi i minoritetit grek, i cili është parakusht për vizionin europian të vendit fqinj”, deklaroi kryeministri grek.

Tsipras ka pritur kancelaren Merkel duke i vënë në dukje asaj se tani Greqia nuk është ajo që gjeti disa vite më parë, gati për falimentim, dhe se nga pjesë e problemit, tashmë është pjesë e zgjidhjes. Ai ka falënderuar kancelaren për rolin e saj në çështjen e emigracionit në Europë.

Duke iu referuar marrëveshjes së Prespës, Tsipras ka theksuar nevojën e paqes në Ballkan, duke mos harruar të kërkojë përsëri nga Berlini kompesimet, Gjermanisë për Luftën e dytë Botërore.

Zonja Merkel nga ana e saj, pasi ka përgëzuar grekët për sakrificat e bëra dhe përballimin e krizës ekonomike, ka shprehur kënaqësinë për ndryshimin e gjendjes dhe ka përgëzuar Aleksis Tsiprasin për marrëveshjen e Prespës, si model paqeje në rajon.

E pyetur nëse zgjidhja e çështjes së emrit që ka kaq interes për perëndimin, kishte lidhje me mbështetjen ekonomike të Greqisë, akuzë e bërë edhe nga kreu i konservatorëve grekë, Mitsiotakis, Merkel ka mohuar tërësisht këto zëra dhe ka thënë se do të bisedojë vetë me liderin e opozitës, për ta bindur se marrëveshja në fjalë është e frytshme për Greqinë, Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe BE-në.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA