Henri Haxhiraj punon që prej prillit 2018 si bashkëpunëtor shkencor në parlamentin gjerman. 26-vjeçari nga Fieri kreu studimet bachelor në Fakultetin Ekonomik të Tiranës në vitet 2010-2014, e nga sa thotë në një intervistë për DW, në Shqipëri ka qenë një “ngelës”.
“Padyshim që përgjegjësia kryesore ka qenë e imja,- thotë ai, -por shumë gjëra në atë Fakultet, nuk funksionojnë siç duhet. Nga shpërndarja e informacionit, tek marrëdhënia me profesorët, tek vlerësimi, tek mësimdhënia etj. Ne studionim me një kurrikul që analizonte biznesin e para 30 viteve dhe ato njohuri nuk ishin fare të nevojshme në tregun aktual”, vazhdon i riu fierak, i cili nuk lë pa përmendur sidoqoftë faktin që ka njohur dhe pedagogë të shkëlqyer, të cilët përpos kushteve të këqija, pagesës së ulët dhe burokracisë, sërish kane zhvilluar një mësimdhënie shembullore.
I pyetur sesa te realizueshme janë kërkesat e studentëve shqiptarë, Henri thotë se i duken të domosdoshme për një arsim cilësor.
“Duke qenë se në punën e përditshme ne Parlamentin Gjerman kam të bëj me ligje, është një gjë të formulosh te tilla kërkesa, e tjetër gjë të formulosh një projektligj bazuar në to. Ndaj mendoj se studentët duhet të konsultohen edhe me ekspertë për anën teknike, në mënyrë që të shmangin çdo lloj pasoje negative të mëvonshme. Neni 81, pika 1 e Kushtetutës e lejon edhe propozimin e një ligji nga 20 mije zgjedhës. Ndoshta do të ishte një alternative, shprehet ai, ndërsa thekson se një nga lehtësirat që kanë studentët në Gjermani është karta e studentit, e cila inkorporon bileta të transportit publik e siguron dhe ulje në dyqane të caktuara, në kinema apo restorante.
Top Channel