Një ngarkesë prej afro 36 kg kokainë është sekuestruar gjatë pasdites të së mërkurës prej autoriteteve greke në Athinë, gjatë një operacioni ndërkombëtar droge.
Sipas policisë helene, në pranga ranë 6 shtetas grekë dhe në kërkim u shpall edhe një tjetër person, edhe ai shtetas grek.
Burime policore i thanë Top Channel se financuesi i drogës është një shtetas shqiptar, i cili ndodhet i arrestuar në Gjermani nën akuzën e trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Shqipëri, të fshehur në ngarkesa frutash.
Ende nuk bëhet e ditur nëse financuesi i këtij trafiku është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë gjermane apo e ka kryer porosinë e lëndës narkotike përpara se të arrestohej në Gjermani.
Lënda narkotike u sekuestrua, ndërsa 6 shetasit e arrestuar do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie gjatë paradites të së enjtes.
Top Channel