Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në Tiranë drejtuesin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
Kreu i Shtetit përmes një statusi në “Facebook” thotë se duke vlerësuar rolin e partisë së Kurtit, ai theksoi se VV duhet të jetë më aktive dhe të luajë rolin në dialogun e brendshëm politik në Kosovës, si dhe të japë kontribut për normalizimin e raporteve me Serbinë përmes dialogut dhe bisedimeve.
“Kënaqësi e veçantë të prisja sot në mbrëmje në një takim të veçantë Liderin e Vetëvendosjes, z.Albin Kurti.
Forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve tona në interes të përbashkët dhe të forcimit të perspektivës europiane jo vetëm të Shqipërisë e të Kosovës, por të gjithë rajonit tonë ishte temë kryesore.
Në këtë drejtim theksova rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi që t’i shërbejë të ardhmes europiane të të dy vendeve dhe konsolidimit të bashkëjetesës e paqes në rajon. Vlerësova se Vetëvendosja si forcë kryesore politike duhet të luajë rol të rëndësishëm për forcimin e shtetit të Kosovës dhe arritjen e konsensusit të plotë për një dialog të suksesshëm dhe të qëndrueshëm me Serbinë”, shkruan Meta.
Top Channel