NBA, fitojnë Clippers, humbasin Lakers-at

07/01/2019 13:01

Los Angeles Clippers kalon Orlandon në ndeshjen e radhës së NBA duke e mundur 106-96 për të regjistruar fitoren e dytë radhazi. Është kjo një fitore që i jep mundësinë skuadrës kaliforniane të përforcojë pozitat në vendin e 4 në Konferencën e Perëndimit.

Pjesa e parë nuk ishte aspak e mirë për Clippers që e pa veten në një disavantazh prej 15 pikësh. Gjërat për këtë skuadër ndryshuan në mënyrë radikale pas pushimit të ndeshjes kur Los Angeles Clippers përmbysi rezultatin për të fituar krejt ndeshjen kljo edhe falë 28 pikëve të Tobias Harris dhe 17 të Lou Williams.

Te Orlando, bie në sy loja e mirë e Nikola Vucevic që e mbylli ndeshjen me 16 pikë e 24 topa në tabelë.

Nuk ndodhi e njëjta gjë me skuadrën tjetër të Los Angelesit, Lakers. Kjo e fundit vazhdon të vuajë mungesën e Lebron James dhe kjo u pa edhe në ndeshje me Minnesotën të cilën Lakers e humbi 86-108, humbje kjo që është e 7 në 10 sfidat e fundit. Minnesota e kishte gjatë gjithë kohës në kontroll këtë ndeshje ndaj Los Angeles Lakers pavarësisht mungesës së Covington e Rose. ata që u dalluan për Timberwolves ishin Wiggins dhe Towns me nga 28 pikë secili. Te Lakers të vetmit që morën notë pozitive ishin Stephenson me 14 pikë e Beasley me 11.

Toronto fiton duelin me Indianën 121-105 dhe parakalon Milwaukeen në klasifikimin e Konferencës së Lindjes duke rimarrë vendin e parë. Skuadra kanadeze e pati çuditërisht të lehtë këtë sukses ndaj Pacers që vinte në këtë përballje pas 6 fitoreve radhazi.

Kjo fitore merr më shumë vlerë për Raptors edhe për faktin se ajo erdhi pa Leonard në parket. Për Toronton që pati 8 lojtarë në statistika dyshifrore, më të mirët ishin Norman Powell me 23 pikë, ndërkohë që Serge Ibaka e mbylli takimin me 18 pikë. Për Indianën që mbetet ende forca e tretë e Konferencës së Perëndimit, shënuesi më i mirë është Bogdanovic me 21 pikë ndërsa Sabonis shënoi 16 pikë e rrëmbeu 11 topa në tabelë.

Top Channel