Nëse nuk po arrin të jetë në qendër të vëmendjes për sukseset sportive, sipas pretendimeve që kanë sportdashësit, skuadra e Flamurtarit mbetet kryefjalë e diskutueshme e futbollit shqiptar.

Javët e fundit, problematika e pagave të prapambetura prej disa muajsh bëri këdo të mendojë për një falimentim të grupit investues nga Turqia, me adimistrator Sinan Idrizin.

Ky i fundit, në një intervistë për Top Channel sqaron pozicionin e investitorëve.

“Të jeni të qetë, ne nuk kemi ndërmend të ikim e nuk kemi ikur nga investimi ynë”, tha Sinan Idrizi, administrator i Flamurtarit.

Ndërkohë, sa u përket pagave të prapambetura, Idrizi thekson se çdo gjë është brenda kontratës.

“Siç kanë marrë nga 3 rroga parapagim, kemi edhe ndonjë vonesë të prapambetur”, tha Sinan Idrizi.

Në fund, Idrizi mbyll gjithçka me një mesazh ndaj qytetarëve vlonjatë.

“Qytetarëve të Vlorës u kam kursyer 6 milionë euro nga taksat e bashkisë dhe u kam respektuar fanellën e klubin, duke mos shitur ndeshje e duke qenë korrekt. Por, nëse dikush di ta bëjë më mirë se mua, le të vijë që sot dhe unë largohem”, tha Sinan Idrizi.

Top Channel