Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Mediave, Albana Vokshi informoi të gjithë institucionet ndërkombëtare, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara mbi projektligjet e qeverisë për të kontrolluar median online në Shqipërinë.
Në këtë letër zyrtare, Vokshi raporton se projektligjet e qeverisë janë hartuar pa asnjë transparencë dhe konsultim me grupet e interesit apo gazetarët. Më tej, evidentohet se organizatat e pavarura të media, intelektualë dhe opozita i kanë kundërshtuar ashpër këto nisma që kërkojnë të nënshtrojnë median online përmes një kontrolli politik që shkon nga gjobitja e tyre deri në ndalimin e lirisë së aksesit në internet.
Në reagimin e PD gjithashtu theksohet se katër organizata të njohura ndërkombëtare si; Qendra Europiane për Lirinë e Medias, Federata Europiane e Gazetarëve, Reporterët pa Kufij dhe PEN International i kanë kërkuar kryeministrit të tërheqë menjëherë këto projektligje.
“Përkundër reagimeve të tilla, qeveria duket se synon të vazhdojë me ndryshimet legjislative duke pasur parasysh që me shumicën e siguruar të votave në Parlament mund të miratojnë edhe ligje të tilla censure. Më lejoni që me anë të kësaj letre, të kërkoj mbështetjen tuaj për ti bërë presion qeverisë shqiptare të tërheqë dy projektligjet e propozuara të censurës si dhe të bahskëpunojë me organizatat e medias, komunitetin e gazetarëve dhe organizatat ndërkombëtare për të gjetur rrugën e përmirësimit të cilësisë së medias, duke respektuar në të njëjtën kohë lirinë e medias dhe të shprehjes”- thuhet në letrën e Albana Vokshit për ndërkombëtarët.
Top Channel