Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se “nuk është bërë shumë përparim” për të ndërtuar murin në kufi me Meksikën, financimin e së cilës Trump e ka futur në buxhet, pasi udhëheqësit e Kongresit nuk plotësuan kërkesat e presidentit.
Ndërtimi i murit ka qenë shkaktari i mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane. Më 5 janar, Trump shkroi në Tëitter se do të mbahet edhe një takim më 6 janar për këtë çështje.
“Pas shumë dekadash duhet të zgjidhim përfundimisht problemet me kufirin jugor”, ka shkruar ai, duke kërkuar sërish fonde që të ndërtohet muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, gjë që kundërshtohet fuqishëm nga demokratët.
Më herët, zv.presidenti amerikan Mike Pence ka thënë se takimi në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet zyrtarëve të administratës dhe zyrtarëve të Kongresit, “ka qenë produktiv”.
Në takim kanë qenë të pranishëm pjesëtarë të stafit të Kongresit dhe jo krerët kryesorë demokratë. Aty po ashtu nuk kanë marrë pjesë as Trump dhe as Pence.
Trump po kërkon 5.6 miliardë dollarë fonde për ndërtimit e murit me Meksikën, ndërsa demokratët në Kongres kanë refuzuar që të shpenzojnë buxhet për ndërtimin e tij.
Më 4 janar, presidenti Trump kishte thënë se do të vazhdojë të mbajë pjesërisht të mbyllur qeverinë “për muaj apo edhe vite”, derisa të plotësohet kërkesa e tij. Sipas presidentit amerikan, ndërtimi i murit është i nevojshëm për ndaljen e emigrantëve ilegalë dhe kontrabandës së drogave.
Demokratët thonë se kjo do të ishte një mënyrë joefikase për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e drogës. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Trump ishte zotuar se do të ishte Meksika, ajo që do të paguante për ndërtimin e murit, por Meksika vet e ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.
Top Channel