Thirrja drejtuar qytetarëve dhe të rinjve të LRI që t’u bashkohen studentëve në protestën e paralajmëruar prej tyre për t’u zhvilluar nesër përpara Kryeministrisë, ishte në qendër të fjalës së kryetares së LSI, Monika Kryemadhi në një takim të zhvilluar sot në Vlorë.
Ajo vlerësoi studentët e Vlorës për aktin e tyre në takimin me kryeministrin në universitetin “Ismail Qemali”, të cilin e cilësoi një demaskim që iu dha studentëve forcë dhe vullnet për të vijuar të palëkundur të kërkojnë të drejtat e tyre.
“Protesta e studentëve në Vlorë ka një vlerë të jashtëzakonshme, por ka edhe një vlerë historike sepse rinia e ka kuptuar se kur janë të bashkuar dhe kanë një qëllim mund t’ia arrijnë. Demaskimin më të madh Ramës ia bënë studentët e Vlorës. Ai demaskim iu dha forcë dhe vullnet studentëve. Ne politikanët ndonjëherë bëhemi cinikë, por harrojmë se edhe ne burimin e kemi tek populli. Asnjëri nga ne nuk e meriton atë që kemi, por më e pakta që duhet të bëjmë është që të kujdesemi për qytetarët”, tha kryetarja e LSI.
Në vijim, Kryemadhi paralajmëroi “shpërthimin” e një tjetër skandali ku është përfshirë qeveria Rama.
“Ka një skandal tjetër që do i shpërthejë Edi Ramës, shikoni sahatet në shtëpitë tuaja. Ju mund të keni harxhuar 100 kW, po ata u faturojnë 150”, tha Kryemadhi, duke lënë të kuptohet se nga xhepat e qytetarëve po vidhen para më shumë seç ata realisht harxhojnë energji.
Top Channel