Qeveria federale në Brazil ka dërguar 300 trupa ushtarake në qytetin verilindor të Fortalezës, me synimin për të frenuar një valë në rritje të dhunës dhe krimit.
Ushtarët do të patrullojnë çdo rrugë atje dhe përreth shtetit të Cearës, me në fokus ndalimin e sulmeve që po ndërmerren ndaj dyqaneve, bankave dhe autobusëve.
Ministri i Drejtësisë urdhëroi dislokimin e trupave në Fortaleza, pas dhjetëra sulmeve të ndodhura gjatë kësaj jave, sulme që konsiderohen si kundërpërgjigje apo protestë kundër masave të reja dhe më të ashpra nëpër burgjet lokale, të cilat në pjesën më të madhe kontrollohen nga bandat kriminale.
Autoritetet e burgjeve në këtë shtet kanë bllokuar sinjalet e telefonëve celularë brenda qelive, si dhe i kanë dhënë fund politikës së ndarjes së të burgosurve sipas bandave që u përkasin.
Dërgimi i trupave vjen vetëm pak ditë pas betimit të presidentit Jair Bolsonaro, i cili u zgjodh në këtë post me premtimin për të luftuar krimin që ka pllakosur vendin. Bolsonaro thuhet të ketë lëvduar vendimin e ministrit Sergio Moro për të dërguar trupat, duke e quajtur atë “me vend, të shpejtë dhe efektiv”.
Top Channel