Një vit më parë Skënderbeu përgatitej të fitonte titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, por vendimi i UEFA-s i ka lënë bardhekuqtë jashtë Europës.

Pas dy fazave të para të kampionatit aktual, Skënderbeu gjendet në vendin e katërt me 30 pikë, një statistikë jo e mirë për një skuadër që ka dominuar futbollin shqiptar gjatë 8 viteve të fundit.

Duke patur parasysh “tranzitin” e pazakontë veror, me largime të shumë titullarëve, duhet pranuar se juglindorët kanë bërë mirë, gjithsesi. Dhjetori ka qenë muaji më i vështirë, argumentet për këtë që ka ndodhur i rreshton trajneri Orges Shehi.

“Do të donim që kampionati të ndërpritej pak më shpejt, sepse vinim pas një goditjeje psikologjike të skuadrës. Jemi ndëshkuar atëherë kur kemi luajtur më mirë. Dhjetori ishte një muaj i mallkuar për ne dhe besoj se e kemi kaluar. E kemi nisur vitin me energji pozitive. Nuk kemi çaluar në aspektin fizik, por na kanë penalizuar edhe mungesat për arsye kartonësh”, tha Shehi.

Skënderbeu, ashtu si gjithë ekipet e tjera të Superiores, sheh nga merkatoja e janarit për t’u përforcuar me elementë cilësorë, edhe pse Shehi i vetëdijshëm që mundësitë që të ofron kjo periudhë janë të pakta.

“Ne kemi pikëtuar dy lojtarë dhe po presim dita-ditës të firmosin. Shpresojmë që tratativat të mbyllen sa më shpejt dhe t’i kem në dispozicion ata”, tha tekniku i korçarëve.

Shehi e pranon se vendimi i KAS-it, që pritet të dalë gjatë këtij viti, kushtëzon në njëfarë mënyrë ecurinë e ekipit, pasi lojtarët ende nuk e dinë nëse do të luajnë në Europë.

“Jemi shkëputur disi nga kreu, por nuk do të heqim dorë nga lufta për t’u ngjitur sa më lart. Sigurisht që çështje të tilla mund të ndikojnë në psikologjinë e skuadrës. Kur të merret vendimi do të jetë fundi i sezonit dhe Skënderbeu do të jetë besoj në pozicionet më të larta. Shpresojmë që sezonin e ardhshëm të luajmë sërish në Europë”, deklaroi Shehi.

Top Channel