Patriarku ortodoks me bazë në Stamboll nënshkroi sot dekretin formal që konfirmon krijimin e një kishe të pavarur ukrainase, duke shënuar një ndarje me kishën ruse, gjë që e ka zemëruar Moskën shumë.
Patriarku Ekumenik Bartolomeu i Konstandinopojës, autoriteti kryesor në Krishtërimin Orthodhoks, nënshkroi dekretin e njohur si Tomos, në një ceremoni në Stamboll. Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko dhe ish presidenti ukrainas Viktor Jushçenko gjendeshin pranë njëri tjetrit si dëshmitarë përgjatë ceremonisë.
“Të dashur ukrainas, kjo është një ngjarje historike! Kjo është një ditë e mrekullueshme! Edhe një herë, dua të shpreh fjalë mirënjohjeje ndaj popullit ukrainas, në emër të kombit tonë ndaj Shenjtërisë Tuaj … Na u desh një kohë shumë e gjatë për të mbërritur këtu”, tha Poroshenko.
Patriarkana Ekumenike ra dakord për të njohur pavarësinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës në Tetor. Më pas, në dhjetor, një këshill historik i peshkopëve ortodoksë në Kiev krijoi trupin e pavarur.
Kisha Ortodokse Ruse prishi lidhjet me Patriarkanën e Kostandinopojës në shenjë proteste, dhe ky fakt i dha një goditje të madhe autoritetit shpirtëror të Moskës në botën ortodokse. Vladimir Legoida, një zëdhënës i kishës së Moskës, e denoncoi dekretin si “një dokument që është rezultat i ambicieve politike dhe personale të papërmbajtura”.
Nikolai Balashov, një tjetër zyrtar i lartë i kishës ortodokse ruse e goditi Patriarkun Ekumenik Bartolomeu I, duke thënë se ai “i dha fund vëllazërisë ortodokse botërore dhe humbi përgjithmonë të drejtën për t’u quajtur udhëheqës shpirtëror”.
Udhëheqësi i ri i kishës ukrainase është Metropolitan Yepifaniy. Yepifaniy, emri laik i të cilit është Sergiy Dumenko, ka qenë kritik i ndikimit fetar të Moskës në Ukrainë, dhe ka mbështetur ushtrinë e Kievit kundër rebelëve pro-rusë.
Top Channel