Elseid Hysaj po kthehet gjithmonë e më shumë në një çështje tek skuadra e Napolit, këtë gjë e ka konfirmuar hapur tashmë edhe menaxheri i mbrojtësit të kombëtares shqiptare.

“Faktet tregojnë që në katër ndeshjet e fundit, Hysaj ka luajtur vetëm një, me shumë mundësi nuk është më i rëndësishëm për Ancelotin,” – ka theksuar Mario Giufredi, menaxheri i shkodranit. “Nëse nuk do të jetë më titullar dhe është kthyer në një pengesë, ne do ta heqim shpejtë këtë pengesë. Në verë refuzuam Chelsean pasi e kërkoi Sarri,” – shton menaxheri.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka luajtur titullar thuajse në të gjithë fazën e parë të kampionatit, ndërkohë që në Champions League, Anceloti ka preferuar Maksimovic. Nga data 11 dhjetor e deri më tani, Elseid Hysaj ka luajtur vetëm ndeshjen kundër Spal në kampionat, duke mos u aktivizuar në ndeshjet kundër Kaliarit, Interit dhe Bolonjës.

“Nuk meriton një trajtim të tillë, duke patur parasyshë se cfarë ka bërë tek Napoli në këto 3 vite dhe për më tepër duke parë sjelljen e tij prej profesionisti” – vazhdon menaxheri Guifredi. – “Ndoshta është një fazë tranzicioni, por çdo trajner ka zgjedhje e tij, nëse Hysaj është bërë zgjedhja e katërt, mjafton të na e bëjnë të ditur, nëse vazhdohet kështu do të kërkojmë menjëherë që të largohet, që në janar,” – mbyll deklaratën e tij menaxheri i Hysajt duke dhënë një mesazh të qartë edhe për presidentin De Laurentis.

Ndërkohë vetë mbrojtësi shqiptar ka zgjedhur të qëndrojë pushim me familjen e tij dhe kolegët e kombëtares në këtë periudhë. Pak ditë më parë ai ishte në Prishtinë sëbashku me portierin e kombëtares shqiptare Etrit Berisha, duke iu shkëputur zhurmës së merkatos për t’i lënë në dorë gjithcka menaxherit të tij. Ndërkohë që aktualisht ndodhet në vendlindjen e tij në Shkodër, ku ka filluar aventurat e ndryshme me makina në terrenet e thyera të veriut të Shqipërisë sëbashku me familjen.

Elseid Hysaj është një nga pikat më të forta të kombëtares kuqezi, duke patur statusin jo vetëm si lojtar i Napolit, por edhe si lojtari që aktivizohet më shumë n[ klubin e tij, gjë që me sa duket edhe për të po bëhet e vështirë në këto momente.

Ky lajm sëbashku me lëvizjen e papritur të Mavrajt në kategorinë e dytë gjermane nga Aristi tek Ingloshtadi, tregon edhe një herë vështirësinë e hapësirave që po kanë lojtarët e kombëtares shqiptare në klubet e tyre, duke i dhënë sinjale jo të mira trajnerit Panuci që nga muaji mars do të fillojë aventurën e eliminatoreve të kampionatit Europian.

Top Channel