Ligji i Arsimit të Lartë dhe dialogu i hapur mes qeverisë dhe studentëve në lidhje me kushtet e këtyre të fundit vijon të mbajë “të ndezur” politikën shqiptare.
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po i merr zvarrë sërish studentët me disa VKM jo funksionale.
Në një postim në Facebook, Boçi duke rikujtuar grevën e 2015-ës të studentëve të infermierisë, shprehet se kryeministri po vepron njësoj por kësaj here jo me dhunë por me mashtrime.
“Kur studentët e transferuar në Universitetet publike kërkonin dialog për uljen e tarifave, Rama u dërgoi “dialoguesit” specialë të forcave speciale. Në 2015, Rama i nxori duke i tërhequr zvarrë me dhunë, nga greva e urisë, studentët e infermierisë”, shkruan Boçi.
“Ky ka qenë në fakt standardi i tij i dialogut dhe i zgjidhjes së kërkesave për tarifa të arsyeshme të studentëve. Sot bën të njëjtën gjë, por me një ndryshim të vogël! Po i merr zvarrë me ca VKM-ra, pa pikë lidhje dhe aspak funksionale. Atëherë ndjehej cub i fortë, nën euforinë e pushtetit të sapo marrë dhe godiste hapur. Tani si “Lamja” godet si kalama mashtrues”, – komenton ai.
Top Channel