Në qershor do të mbahen zgjedhjet vendore, por për shoqërinë civile nuk është mbyllur ende në aspektin gjyqësor kapitulli i zgjedhjeve të kaluara, për sa i takon transparencës së 3 partive kryesore.
Sipas Institutit Shqiptar të Shkencave, shpenzimet e partive në fushtatat elektorale të 2015-s, si dhe donatorët, mbeten ende enigmë, sepse gjykatat në vend nuk ia kanë dalë mbanë të japin një vendim përfundimtar.
Me argumentin se dosja ka mbetur në arkivat e Gjykatës së Lartë, AIS i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut duke kërkuar gjykimin në themel.
“Ky proces gjyqësor ka pësuar mjaftueshëm zvarritje dhe pas 3 vitesh procesi është për rekurs në Gjykatën e Lartë. Në momentin që ne nuk kemi një Gjykatë të Lartë funksionale, pasi disa anëtarë të saj janë goditur nga vettingu, e po ashtu nuk kemi nje Gjykatë Kushtetuese që të na garantojë shqyrtim përfundimtar të çështjes, ne mendojmë se jemi në rastin kur palëve (në këtë rast ne si AIS) iu është shkelur e drejta e parashikuar në nenin 6 të Konventës europiane për të Drejtat e Njeriut, që është e drejta e palëve për një proces gjyqësor me afate të arsyeshme”, tha Aranita Brahaj, drejtoreshë e AIS.
Përveç gjykimit brenda afatit, kërkesa e dytë për gjykim në themel është dorëzuar në muajin nëntor 2018, atëherë kur u kuptua qartë se nga vettingu, Gjykatës së Lartë i mbetën vetëm 4 anëtarë, ndërsa Kushtetueses vetëm një anëtare.
“Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe në paqartësi se kur do të jenë funksionale këto dy nivele të sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, këtë proces gjyqësor të ngritur që tashmë është pezull, kemi kërkuar të gjykohet në themel nga Gjykata europiane për të Drejtat e Njeriut. I kërkon gjykatës të shprehet kundër 3 palëve, që janë 3 partitë kryesore në vend: Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Mendoj se Gjykata europiane e të Drejtave të Njeriut, e njohur si Gjykata e Strasburgut, do të duhet të ndërhyjë në një moment, teksa janë me mijëra palë në Shqipëri të cilëve iu shkelet e drejta e tyre për të pasur një gjykim dhe një vendim të formës së prerë nga sistemi gjyqësor në një kohë të arsyeshme”, tha më tej Aranita Brahaj.
Në Gjykatën e Lartë, stoku i dosjeve kap shifrën e 30 mijë çështjeve ende të pagjykuara, ndërsa në Gjykatën Kushtetuese numërohen 115 kërkesa, kryesisht për çështje pronash.
Top Channel