Viti i vjetër i la rrugë të riut duke kthyer faqe, por për klasën politike, 2019-a vjen me “halle” të vjetra. Kryeministri Edi Rama, betejën e parë nuk e ka me kundërshtarin politik, por me studentët, të cilët kanë paralajmëruar rinisjen e protestave më 7 janar.

“Ju jeni aleatët e mi, jo të Lulit dhe të Monës”, iu tha Rama studentëve përpara fundit të vitit.

Kabineti qeveritar vjen këtë vit i rifreskuar, por një përgjigje pritet edhe nga Ilir Meta president për 8 prurjet e reja dhe një zëvendëskryeministër të ri. Precedenti për refuzim u vendos me Sandër Lleshajn.

Në Presidencë mbizotëron heshtja, ndërsa për opozitën, mosdekretimi nga ana e Metës do të ishte i bazuar së paku me ministrin e Jashtëm. Por, mazhoranca nuk e ka me nxitim dërgimin e kërkesës për dekretim, për sa kohë që sesioni i ri parlamentar nis më 21 janar, ku me shumë gjasë opozita do të vendosë t’i rikthehet ose jo bojkotit parlamentar, pas refuzimit të nismës së saj për vettingun në politikë.

Jashtë Parlamentit, beteja do të vazhdojë.

“Mbështesim protestat”, është shprehur Basha në një nga bashkimet e tij me banorët e Astirit.

Me zgjedhjet lokale në prag, acari i këtij viti do të ndihet më shumë mes dy kampeve politik. Dështimi i Reformës Zgjedhore dhe votimit elektronik do të ndezë më shumë tensionin politik.

Opozita ka kërkuar zgjedhjet e parakohshme dhe vendore në një ditë, një kerkesë që mazhoranca deri më tani e ka injoruar.

Klima e zgjedhjeve të qershorit pritet të reflektohet edhe në përgjigjen që Shqipëria pret nga Brukseli për hapjen ose jo të negociatave.

Rumania, e cila mori Presidencën e radhës së BE-së, e ka shprehur hapur se do të jetë një avokate e fortë e anëtarësimit të Shqipërisë, por verdikti përfundimtar u takon vendeve anëtare.

Këto të fundit kanë kërkuar rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilat, edhe pse kanë kaluar 3 vite nga miratimi me konsensus i Reformës në Drejtësi, nuk janë ngritur ende.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA