Një grup prej 10 vetësh do të përgatisin deri në mars ndryshimet, që socialistët do t’i bëjnë Statutit të partisë së tyre. Me vendim të Asamblesë, ekipi do të drejtohet nga numri dy i partisë, Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla, e përbëhet nga Arben Pëllumbi, Alfred Peza, Bledi Çuçi, Blerina Gjylameti, Elisa Spiropali, Ilir Beqaj, Laert Duraj, Senida Mesi dhe Teuta Vodo.
Këto ndryshime pritet të prekin, mes të tjerash, edhe dy forumet e PS-së, atë të të Rinjve dhe forumin e Grave. Fjalët e kryeministrit në mbledhjen e fundit të Asamblesë japin idenë e asaj që pritet të ndodhë, ku për sa i përket FRESSH-it, Rama tha se kishte nxjerrë mësime nga protesta e studentëve.
“Edhe ata që ishin të forumeve të Doktoreshës dhe Artistit thonin ‘nuk i duam forumet këtu’, sepse u vjen turp të thonë jemi të forumeve. FRESSH-i nuk mund të jetë më organizata ekskluzive e rinisë socialiste. FRESSH mund të jetë një nga organizatat. Ne duhet t’u japim mundësinë të rinjve të organizohen si të duan. Ne duhet t’u japim mundësinë edhe atyre studentëve që nuk duan të merren me parti, nuk duan të merren me politikë, që për qëllimet e tyre të organizohen dhe regjistrohen si një grup interesi pranë nesh”, tha Rama.
Funksionimi deri më tani i Forumit të Grave Socialiste nuk i ka pëlqyer aspak kryetarit të partisë, i cili vuri në pikëpyetje ekzistencën në të ardhmen të vet forumit.
“Forumin e Gruas e dëgjoj vetëm kur ka zgjedhje, që zihen gratë me njëra-tjetrën, dhe nuk e shoh as ku është, as çfarë bën. Nuk ka nevojë të kemi forum gruaje. Le të organizohen të gjithë si të duan, pse duhet të kemi forumin e grave komuniste? Për çfarë arsye? Vetëm zihen me njëra-tjetrën kur ka zgjedhje, bashkohen për 8 Mars dhe bëjnë sikur shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën, e këtu mbaron. Për çfarë na duhet neve forumi i grave komuniste? Vetëm për sherr. Ndërkohë që gratë i kemi integruar në parti, ndërkohë që gratë janë integruar në të gjithë qeverinë”, tha më tej Rama.
Ndryshimet statutore do të miratohen në Kongresin e thirrur për më 23 mars, ku pritet që socialistët të bëjnë edhe ndryshime në Asamblenë dhe Kryesinë e partisë, pak muaj larg zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Top Channel