Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hedh poshtë spekulimet e qëllimshme dhe dashakeqe të subjektit politik Partia Demokratike referuar çështjes së hapjes së procedurës për dhënien me koncesion të Termocentralit të Vlorës.
Në reagimin e saj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shprehet se në vend që të kërkonte së paku ndjesë publike për faktin se u la taksapaguesve shqiptarë në kurriz një “kufomë energjetike”, Partia Demokratike guxon dhe hedh akuza ndaj qeverisë e cila po kryen çdo veprim të mundshëm për të rikthyer në punë këtë vepër.
Më tej Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hedh poshtë akuzat e deputetit të PD, Agron Shehaj, se praktikisht janë përjashtuar kompanitë e huaja nga aplikimi për koncension.
“Në kuadër të transparencës ndaj opinionit publik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se Komisioni i Dhënies me Koncesion të Termocentralit të Vlorës është ngritur dhe ka ushtruar funksionet e tij prej më shumë se një viti. Në bashkëpunim me konsulentët e Roland Berger është përgatitur Studimi i Fizibilitetit me të gjitha opsionet që shtrohen në diskutim për t’i dhënë zgjidhje ngërçit të trashëguar të Termocentralit të Vlorës.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, njoftimi i garës ndërkombëtare është bërë përmes shpalljes publike në Agjencinë e Prokurimit Publik ashtu sikurse publikimit në median e huaj “The Economist”.
“Shpallja parashikon dy muaj kohë në dispozicion për çdo kompani të interesuar që të përgatisë ofertën dhe ta dorëzojë brenda datës 28 Shkurt. Sitevisit në datë 15 Janar parashikon njohjen e kompanive të interesuara me objektin e koncesionit për tu dhënë mundësi atyre të aksesojnë të dhënat më të detajuara”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Top Channel