Afron Australian Open, merren masa për përballimin e të nxehtit

29/12/2018 13:59

Australian Open është turneu i parë Grand Slam i çdo viti në tenis. Së fundmi, në Melburn pjesëmarrësit në këtë turne madhor janë përballur me vështirësi të shumta të shkaktuar nga moti tej mase i nxehtë, ku ka pasur edhe raste kur janë humbur ndjenjat.

Organizatorët e evenimentit vendosën që të përdorin “Heat Stress Scale” që do t’u vijë në ndihmë tenistëve që të evitojnë problemet që shkaktohen nga nxehtësia e tepërt.

Në rregulloren e re të përpiluar, parashikohet një periudhë pushimi prej 10 minutash mes setit të dytë dhe të tretë në turneun e femrave dhe pas setit të tretë në kategorinë e meshkujve. Kjo do të ndodhë kur nxehtësia e matur do të jetë mes nivelit të parë dhe të 5. Nëse nxehtësia e matur do të kalojë nivelin 5, atëherë ndeshja do të ndërpritet.

Në vitet e kaluara, organizatorët i aplikonin masat kundër nxehtësisë me ndërprerje ndeshjeje ose mbyllje të fushës në momentin kur temperaturat i kalonin 40 gradë celcius.

Top Channel