Ekonomia shqiptare u rrit me 4.48% në tremujorin e tretë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Instituti i Statistikave raportoi se edhe në tremujorin e tretë ekonomia përfitoi nga ecuria e fortë pozitive e sektorit energjetik dhe atij të turizmit.
Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e INSTAT-it, shprehet: “Kontributin kryesor në këtë rritje e dha energjia me 1.71% dhe turizmi me 1.12%”.
Veç energjisë dhe turizmit, sektorë të tjerë që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen ekonomike janë ndërtimi dhe bujqësia. Ndërsa nga ana e kërkesës, rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private: “Konsumi u rrit me 3.86%, investimet u rritën me 5.4%”.
Ky është tremujori i tretë rresht që ekonomia shqiptare rritet me mbi 4% duke tejkaluar pritshmëritë e FMN-së dhe madje edhe vetë qeverisë, të cilat parashikojnë një rritje vjetore prej 4.2%.
“Si nëntëmujor, ekonomia është rritur me 4.35%”, thotë Ibrahimaj.
Por, pavarësisht ecurisë mbi pritshmëritë, rritja ekonomike mbetet e varur nga sektori energjetik dhe turizmi. E zhveshur nga kontributi i këtyre dy sektorëve, rritja ekonomike do të ishte më pak se 1.7%.
Top Channel