“Barça e katalanasve”, Pique projektohet si president klubi

28/12/2018 18:24

Gerard Pique bleu para pak ditësh aksionet e skuadrës së Andorrës në futbollin spanjoll, ndërsa kompania e tij “Kozmos” po reformon Kupën “Davis” në tenis.

Por, futbollisti i Barcelonës nuk kërkon t’u vendosë frè ambicieve të tij, e tani po projektohet si presidenti i ri i skuadrës katalanase.

Mbrojtësi, që i dha lamtumirën kombëtares spanjolle pas polemikave të vazhdueshme dhe mbështetjes së referendumit për Katalonjën, pritet të braktisë futbollin e luajtur për të qëndruar gjithsesi në të njëjtin ambient.

Ai synon Presidencën e Barcelonës, një objektiv të cilin synon ta realizojë në kohën kur të skadojë mandati i kreut aktual të klubit “blaugrana”, Jozep Bartomeu.

Pas suksesit në fushë, me 7 kampionate spanjolle, 4 Champions, 3 Superkupa europiane, 3 Botërorë klubesh, 1 titull kampion bote dhe një Europian me Spanjën; Gerard Pique do t’i dedikohet tani karrierës si drejtues.

Mediet iberike thonë gjithashtu se, në platformën e tij të ardhshme do të ketë vend edhe për Xavi, Iniesta dhe Puyol.

Top Channel