Dënohet më 18 vjet heqje lirie autori i vrasjes së ndodhur rreth 6 vjet më parë në një lokal nate në Lezhë.

Maringlen Përgjini është shpallur fajtor për vrasjen e Maldin Shtjefnit, ngjarje e ndodhur në janarin e 2013-ës në Lezhë. Gjykata e Apelit në Shkodër dha vendimin e formës së prerë duke dënuar në total me 18 vite burg Maringlen Përgjinin, ndërsa shtetasi Anton Toli u dënua me dy vite dhe Serxho Prenga me 9 muaj, këto dy të fundit për veprën penale “moskallëzim krimi”. Apeli në Shkodër la të lirë Ergys Nikën i dyshuar edhe ai për “moskallëzim krimi”.

Ngjarja ndodhi në janarin e vitit 2013 në një lokal me muzikë në Lezhë. Viktima Maldin Shtjefni ishte në lokal bashkë me shokun e tij Serxho Prenga, ndërsa në një tavolinë tjetër ndodhej Ergys Nika, Anton Toli dhe disa persona të tjerë. Ergysi dhe Maldini kanë bërë sherr për porosinë e një kënge, se cila duhej të këndohej më parë nga grupi muzikor.

Pasi debati mes tyre është mbyllur në lokal ka mbërritur edhe Maringlen Përgjini. Viktima Maldin Shtjefni dhe shoku i tij Serxho janë thirrur në tavolinën ku ndodhej Përgjini dhe Ergysi bashkë me disa të tjerë. Pasi janë bashkuar papritur Maldin Shtjefni është qëlluar me një plumb në ballë duke vdekur në vend.

Fillimisht dëshmitë e dëshmitarëve kanë rënduar mbi Maringlen Përgjinin, i cili qëndroi 16 ditë në kërkim policor. Më pas ngjarja është tentuar të ndryshohet. Maringlen Përgjini akuzon Ergys Nikën si autor të vrasjes ndërsa Ergysi akuzon pikërisht Maringlenin.

Herën e parë Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë e dënoi me 5 vite Maringlen Përgjinin për armëmbajtje dhe vrasje nga pakujdesia. Me kërkesë të prokurorisë çështja u ridërgua për gjykim nga Gjykata e Apelit në Shkodër në gjykatën e Lezhës por herën e dytë në 2016-ën, Maringlen Përgjini u shpall i pafajshëm. Pasi çështja erdhi për herë të dytë në Gjykatën e Apelit në Shkodër, prokurori i apelit Elvin Gogaj rindërtoi thuajse këtë ngjarje duke arritur në konkluzionet përfundimtare dhe duke kërkuar 20 vite burg për Maringlen Përgjinin si autor i dyshuar i vrasjes.

Avokati mbrojtës i Përgjinit, Ferit Muça akuzoi prokurorin e Apelit se ka shtrembëruar dosjen ndërsa deklaroi se në bazë të përgjimeve në bisedat e dëshmitarëve dhe të afërmve të të pandehurve rezulton se autor i vrasjes është shtetasi Ergys Nika. Petrit Mhillaj, avokati që mbrojti Ergys Nikën tha se klienti i tij nuk është autor i vrasjes sepse siç thonë dëshmitarët nuk ka patur fare armë dhe se arma ka qenë e Maringlenit.

Nga ana tjetër avokati i viktimës Idajet Beqiri tha se është dakord me prokurorin e Apelit dhe se Maringlen Përgjini në bazë të të gjitha dëshmive të dëshmitarëve pas vrasjes është autori që kreu krimin duke qëlluar me plumb në ballë Maldin Shtjefnin. Prokurori i apelit në Shkodër Elvin Gogaj nuk u shpreh ndërsa u mjaftua me dosjen e paraqitur dhe arsyetimet përkatëse duke kërkuar 20 vite burg për Maringlen Përgjinin.

Në fund trupi gjykues me kryesues Vojsava Osmanaj dhe anëtarë Astrit Kalaja dhe Marina Rraboshta vendosi dënimin në total me 18 vite burg për Maringlen Përgjinin. Pas 6 vitesh vjen vendimi i formës së prerë për këtë ngjarje të rëndë ku mbeti i vrarë Maldin Shtjefni.

Përgjini dhunon Prokurorin e çështjes
Rreth 4 vjet më parë Përgjini është hakmarrë ndaj prokurorit Ervin Beqiri, pasi ky i fundit kishte kërkuar dënimin e tij me 20 vite burg pa të drejtë e sipas tij nuk ishte ai autor i vrasjes. Ngjarja është shënuar në korridorin e burgut teksa prokurori Beqiri po shkonte të takonte në qeli dy të burgosur të tjerë. Fytyra e tij është memorizuar nga Përgjini, i cili sapo ka parë prokurorin, ka nisur ta ofendojë. Ai nuk është mjaftuar me kaq, kur është shkëputur nga gardianët dhe ka qëlluar në drejtim të prokurorit Beqiri me grushte dhe shkelma. Pas ngjarjes së ndodhur, prokurori Beqiri ka bërë kallëzim penal në organin e akuzës ndaj Përgjinit, si dhe ndaj dy gardianëve që shoqëronin Përgjinin, me pretendimin se nuk kanë ndërhyrë në kohë për të shmangur incidentin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA