Irani tha të mërkurën se eksportuesit privatë nuk kanë pasur asnjë problem të shesin naftë iraniane dhe se 3 milionë fuçi bruto mund t’u shiten së shpejti tregtarëve joqeveritarë, njoftoi media shtetërore, pavarësisht sanksioneve të SHBA-ve, që synonin shitjet e naftës nga Teherani.
Irani filloi shitjen e naftës së papërpunuar për kompanitë private, për eksport, në fund të tetorit, pikërisht përpara sanksioneve të SHBA-së për sektorë të ndryshëm, përfshirë naftën, të cilat hynë në fuqi në nëntor.
“Ata që blejnë naftë në bursë, kanë qenë në gjendje të eksportojnë dhe nuk kanë pasur probleme në lidhje me këtë”, citon agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, Ministrin e naftës Bijan Zanganeh, por duke mos dhënë detaje të mëtejshme rreth eksporteve.
Pas rivendosjes së sanksioneve të naftës, Uashingtoni u dha përjashtime tetë vendeve duke u lejuar atyre të vazhdojnë përkohësisht blerjen e naftës iraniane.
Irani, ku tregtia e naftës së papërpunuar kontrollohet nga shteti, shiti 280.000 fuçi naftë bruto për kompanitë private në një shkëmbim të energjisë në tetor, pas 700 mijë fuçive në nëntor, si pjesë e një plani eksporti për të përballuar sanksionet e SHBA.
Zanganeh tha se një organ ekonomik shtetëror kishte miratuar shitjen e deri në 3 milion fuçive naftë në një raund të tretë të shitjeve për eksportuesit privatë, njoftoi IRNA.
Top Channel