Saif al-Islam Gadafi, djali më i njohur publikisht i ish-liderit libian Muammar Gadafi, duhet të luajë një rol në jetën politike të vendit të tij, citohet të ketë thënë zëvendësministri i jashtëm rus Mikhail Bogdanov për agjencinë e lajmeve RIA.
Kjo e fundit tha se një nga përfaqësuesit e Saif kishte dërguar një letër të shkruar prej tij, në Moskë, më herët këtë muaj, në të cilën ai kishte përcaktuar idetë për të ardhmen politike të Libisë dhe se Saif ishte në kontakt të rregullt me Rusinë.
Fuqitë perëndimore dhe Kombet e Bashkuara po shtyjnë që vendi i Afrikës së veriut të mbajë zgjedhjet vitin e ardhshëm, pas një konference kombëtare për të ndalur shtatë vjet konflikt në prodhuesin e naftës.
Babai i Saif u rrëzua dhe u vra në një revoltë të vitit 2011. Saif, i cili u arrestua më vonë, por u lirua sërish, u pa nga disa si një pasues potencial reformist i babait të tij në vitet para 2011-ës dhe mbetet një figurë kyçe për besnikët e Gadafit.
“Ne mbështesim të gjithë. Ne besojmë se askush nuk duhet të jetë i izoluar apo i përjashtuar nga një rol politik konstruktiv”, citon RIA Bogdanovin.
“Kjo është arsyeja pse ne po mbajmë kontakte me të gjitha grupet që janë të bazuara në perëndim, në lindje dhe në jug të vendit … Saif al-Islam ka mbështetjen e fiseve specifike në fushat specifike të Libisë dhe e gjithë kjo duhet të jetë pjesë e përgjithshme politike me pjesëmarrjen e forcave të tjera politike”, shtoi zëvendës-ministri rus.
Rusia është gjithashtu në kontakt të ngushtë me komandantin libian Khalifa Haftar, i cili dominon Libinë lindore dhe ka vizituar Moskën dhe ka mbajtur bisedime me zyrtarë të lartë.
Top Channel